Virusi korona dhe të pavërtetat që qarkullojnë në rrjetet sociale për ilaçin kundër tij

Foto ilustrim nga Pexels

Teksa e gjithë bota është në pritje të vaksinave kundër koronavirusit, njerëzit me kufizim në lëvizje apo në izolim të plotë, marrin “përsipër” gjetjen e ilaçeve që “do të ndihmonin” botën në betejën kundër përhapjes së koronavirusit. Ata nëpërmjet pajisjeve të tyre elektronike, postimet e tyre me “përmbajtje shëruese” i bëjnë virale nëpër rrjete sociale. Disa “i shpikin” e të tjerët thjeshtë i shpërndajnë ato postime, duke e zbehur seriozitetin e virusit, e duke shpërndarë shpresa të rrejshme lidhur me kurimin e tij.

Nga Ajnur Bafqari

Post që qarkullon nëpër rrjetet sociale

“Me një tas me ujë me hudhër të freskët. Mjeku i vjetër kinez vërtetoi efektivitetin e tij, shumë pacientë gjithashtu e kanë provuar se është efektiv”- thuhet në postim.

Ku është mjeku kinez dhe ku janë pacientët te të cilët është provuar efektiviteti?!
Autori i tekstit ka shkruar recetën, madje për ta bërë më të besueshëm këtë postim ka futur një nëntitull “SHKENCË”, ndërkohë që ka harruar se paraprakisht ka folur për një kurë popullore. Autori i tekstit është shprehur aq optimist, sa që “ofron shërim” brenda natës! Autori në fund kërkon që idesë së tij të “shpëtimit të njerëzimit” t’i bashkëngjiten të gjithë, duke bërë thirrje që ky postim të shpërndahet me të gjitha kontaktet.

Publikimet e individëve nuk janë relevante!
Ky postim ka qarkulluar shumë ditëve të fundit dhe nëse e lexoni me vëmendje, edhe pse i referohet “kurës” së një mjeku të vjetër kinez, nuk përmendet as edhe emri i tij. As nuk ka ndonjë citim, as ndonjë burim të Informacionit, dhe edhe pse theksohet se tek pacientët që e kanë provuar  ka rezultuar “pozitiv” nuk ka asnjë dëshmi se një gjë e tillë është e vërtetë. Sa herë që shihni ndonjë postim të ngjashëm, kini parasysh se ky nuk është madje as “lajm”, është thjesht një postim, e as nuk është thënë nga ndonjë burim zyrtar relevant. Informacione të besueshme lidhur me koronavirusin mund të merren vetëm nga Ministria e Shëndetësisë, Qeveria dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

E njejta përmbajtje ka qarkulluar edhe në gjuhën angleze në rrjetin social “WhatsApp”, dhe lidhur me këtë kanë informuar edhe mediat në Shqipëri.

Mesazhi që po qarkullon në “WhatsApp”

Në tekstin me titull Hudhra kuron koronavirusin?! Mesazhi që po qarkullon në “WhatsApp”, media shqiptare në fjalë thotë se madje edhe autoritetet e kanë sqaruar se ende nuk ka kurë për koronavirusin dhe këshillon që nëse një mesazh ju vjen në telefon, të fshihet menjëherë dhe të mos shpërndahet me kontaktet e tjera.

 

Edhe nëse ndonjë ilaç mund të ndihmojë në luftën kundër koronavirusit, ju gjithsesi duhet paraprakisht të konsultoheni me mjekun!
Në nivel global kanë  qarkulluar informacione të shumta se ekzistojnë Ilaçe të tjera anti-virale të cilët po ndihmojnë mjekët në betejën e vështirë kundër përhapjes së koronavirusit. Herë pas here paraqitet nga një mjek, nga cilido cep i botës, për të rekomanduar përdorim të një ilaçi të caktuar, që sipas tyre, jep rezultate pozitive në luftën kundër këtij virusi. Madje nëpërmjet një postimi në twiter, u paraqit edhe vetë presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Nuk kontestohet efektshmëria e ilaçeve të rekomanduara (të cilat paraprakisht janë përdorur për të kuruar sëmundje të tjera), megjithatë nevojitet një periudhë prove tek njerëzit para se të certifikohet efektshmëria tek pacientët. Dhe mbani mend, gjithmonë ato duhet të merren me rekomandim të mjekut!

Lëreni që secili të merret me punën që i takon!
Le ta lëmë që punën për gjetje të një vaksine ose ilaçeve ta bëjnë personat dhe institucionet kompetente, ndërsa ne t’i marrim parasysh vetëm rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit, për parandalim të shpërndarjes së virusit. Pra para se gjithash, rrini në shtëpi, lani duart dhe shmanguni kontakteve fizike.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.